×
  • Lajme
  • Lajme

    Specializimi lë pa mjekë ambulancat

    Reporteri
    29 Mars 2021 | 9:03

    Ambulancat e Mjekësisë Familjare në Drenas dhe Suharekë kanë mbetur pa mjekë, pasi ata kanë fituar të drejtën e specializimit.


    Shkëlqim Hajdaraj nga fshati Abri, në Komunën e Drenasit, tha se mungesa e mjekëve në ambulancat më të afërta, po paraqet problem për ta.

    Ai tregon se familjarët e tij dhe bashkëfshatarët, po detyrohen që të udhëtojnë mbi 13 kilometra, deri në Drenas, që të marrin shërbime shëndetësore, pasi të njëjtat nuk po mund t’i marrin më në ambulancën e fshatit.

    “Unë kam pasur një rast me nënën time, për shkak të problemeve që ka me tension. Kur kemi shkuar në ambulancë, ajo ka qenë e mbyllur dhe është dashur të bëjmë një zgjidhje tjetër për të shkuar në Drenas”, tha Hajdaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Se qytetarët po detyrohen që të udhëtojnë me kilometra të tërë për të arritur te Qendra më e afërt e Mjekësisë Familjare, e pranojnë edhe zyrtarët e këtyre dy komunave.

    Kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga komuna e tyre, 48 mjekë kanë fituar specializimin.

    “Kemi infermierë, kemi motra medicinale, por na mungojnë mjekët edhe besoj se pas muajit prill do t’i plotësojmë (vendet) me mjekë të rinj shtesë dhe do të funksionojë komplet Komuna e Suharekës, siç ka funksionuar përpara. Është e drejt e tyre (mjekëve), mirëpo është bërë (specializimi) pa planifikim. Është dashur së paku të bisedohet për kuadro të reja që duhen”, tha Muharremi.

    Më herët gjatë marsit Radio Evropa e Lirë ka raportuar lidhur me specializimet e mjekëve. Nga Odat e Mjekëve kanë thënë se situata me specializimet është një “katrahurë”, pasi sipas tyre, ky proces është bërë pa planifikim të duhur.

    Në Komunë e Drenasit, 18 mjekë kanë fituar specializimin, tha Arsim Haxhiu, që udhëheqë Drejtorinë e Shëndetësisë të kësaj komune. Ai tha se tashmë ata kanë nisur procedurat që të plotësojnë këto vende boshe.

    “Janë gjashtë ambulanca të Mjekësisë Familjare që për momentin janë të mbyllura, gjë për të cilën i kemi njoftuar edhe qytetarët që të kenë mirëkuptim, për shkak të mungesës së mjekëve që ka ardhur si pasojë e specializimeve të cilat Ministria (e Shëndetësisë) i ka shpallur gjatë fundvitit të kaluar dhe kanë filluar specializimet, me kontratë me ministrinë”, tha Haxhiu.

    Kosova, prej vitit 2016 nuk kishte hapur konkurse për specializantë. Në mënyrë që ta plotësohej numri i specializantëve për vitet e humbura, Ministria e Shëndetësisë më 30 korrik të vitit 2020 hapi konkursin për të pranuar rreth 1.500 specializantë. Deri tash janë thuhet se janë pranuar rreth 1.300 të tillë.

    Specializimi i mjekëve bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!