×
  • Lajme
  • Lajme

    Fillon kampanja për vaksinim, MSH tregon se duhet të vaksinohen edhe ata që e kanë kaluar Covid-19

    Reporteri
    29 Mars 2021 | 14:15

    Ministria e Shëndetësisë ka nisur kampanjën për informim të qytetarëve rreth rëndësisë së vaksinimit kundër COVID-19.


    Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook, janë dhënë informata për rëndësinë e vaksinimit kundër koronavirusit.

    Aty tregohet nëse personat që e kanë kaluar koronavirusin duhet të vaksinohen apo jo.

    “Shkala në të cilën antitrupat veprojnë gjatë infektimit me COVID-19 është ende nën studim. Ende nuk dihet niveli i nevojshëm i antitrupave që ndihmojnë në mbrojtje ose ri-infektim. Prandaj, edhe ata që e kanë kaluar virusin COVID-19 mund dhe duhet të marrin vaksinën”, shkruan MSh.

    Ndryshe, të dielën ka ardhur kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID-19 nga COVAX.

    Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.

    Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

    Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

    Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

    Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

    Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

    Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

    Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!