Kryesia e LDK-së do të zhvillojnë sot një takim që, për shumëkënd në Kosovë, po cilësohet si vendimtar në çështjen e presidentit.
Megjithatë, Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të flas me disa anëtarë të Kryesisë, por nuk janë përgjigjur. Vetëm një nga ta ka qenë i qasshëm, dhe i njëjti tha se po shkojnë në takim pa agjendë.
Duke dashur të mbetet anonim, një anëtar kryesie i ka thënë Reporterit se ftesa për takimin e sotëm nuk ka përmbajtur detaje rreth agjendës, por vetëm u është kërkuar të marrin pjesë në mbledhje.
Sido që të jetë, tashmë dihet se Kryesia e LDK-së pritet të vendos rreth çështjes së votimit ose jo të Vjosa Osmanin që është kandidate për presidente. LDK-ja ka rol të madh në këtë rast pasi, pa votat e saj, shumica nuk i ka numrat për ta zgjedhur Osmanin dhe kështu vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme sërish.
Ndërkohë, disa zëra kanë dalë edhe publikisht në përkrahje të Vjosa Osmanin, siç është rasti i nënkryetarit Gazmend Muhaxheri dhe deputetes Valentina Bunjaku. Kjo e fundit, meqë është deputete, ka premtuar edhe votën.
Por, brenda grupit parlamentar të LDK-së ka deputet që nuk i kanë punët mirë me kandidaten Osmani. Një nga ta është Agim Veliu, i cili dihet që nuk do ta përkrah kandidaten e VV-së.
Ndryshe, Vjosa Osmani ka acaruar raportet me ish-partinë e saj dhe për këtë arsye krijoi një Listë të quajtur “Guxo”, me të cilën kandidoi bashkë me VV-në dhe doli njeriu më i votuar, ku mori mbi 300 mijë vota./Reporteri.net