Autor: Blendi Gashi
Gjykata Themelore në Prishtinë, sot ka deklaruar se nuk po arrinë ta gjejë Shukri Bujën për ta dërguar në vuajtje të dënimit.
Gjykata Themelore thotë se më 26 shkurt 2021, kishte lëshuar një urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit me burgim për ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.
Sipas urdhëresës së gjykatës, Buja ka qenë dashur të fillojë vuajtjen e dënimit prej një viti burgim nga data 22 mars 2021.
Gashi ka thënë se gjykata e ka përsëritur sërish urdhëresën për Bujën. Sipas urdhëresës së re, Buja duhet të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 12 prill 2021.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar me Shukri Bujën, i cili ka thënë se nuk po mund ta kuptojë Gjykatën pasi ajo i ka të gjitha adresat e tij.
“Unë jam në Prishtinë, gjykata i ka krejt adresat e mija, nuk e di pse po ndodh kjo, çka janë duke bërë. Kemi bërë ankesë në Supreme, nuk kam marrë kurrfarë shkrese, Gjykata po luan me adresa të vjetra”, thotë Buja për Reporteri.net.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar. /Reporteri.net/.