Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë vaksinën anti-COVID.
Pas vaksinimit ai u deklarua për medie, ku tha se si kryeministër i Kosovës nuk ka shkuar që të shfrytëzojë privilegjin që të vaksinohet i pari, por që të inkurajojë edhe qytetarët e tjerë që të marrin vaksinën dhe t’i heqë dilemat, shkruan Reporteri.net.
Sipas Kurtit, vaksinat janë të nevojshme sepse po përballemi me një pandemi shumë të vështirë dhe shpëtimi ynë është vaksinimi.
“Dua t’i inkurajoj të gjithë që të vaksinohen. Vaksinimi është i nevojshëm meqenëse përballemi me pandemi. Zgjidhja është vaksinimi.”, ka thënë ai.
Ndërkohë kryeministri bëri apel tek qytetarët që të mbajnë maskat, higjienën dhe të evitojnë tubimet në vende të hapura dhe të mbyllura.
Krejt në fund Kurti tha se vaksinimi ka filluar me personelin shëndetësor dhe të moshuarit, për të vazhduar më pas me të tjerët.
Kryeministri Kurti është i pari i cili e ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID.
Vaksinimi është kryer në sallën “1 tetori” në kryeqytet.
Pas tij, janë vaksinuar edhe disa persona të moshuar.
Të dielën kanë mbërritur 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca në Kosovë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se pavarësisht posedimit të vaksinës, qytetarët duhet vazhduar t’i respektojnë masat ngase pandemia do vazhdojë të ekzistojë. /Reporteri.net