×
  • Lajme
  • Lajme

    Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sfidë e madhe edhe për Qeverinë Kurti

    Reporteri
    29 Mars 2021 | 23:28

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka sfiduar të gjitha qeveritë në dialogun me Serbinë. Kjo çështje shihet si problematike edhe për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.


    Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se një prej problemeve të vazhdueshme është ratifikimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si marrëveshje ndërkombëtare.

    “Kosova është e obliguar të zbatojë këtë marrëveshje, pos nëse gjen ndonjë mënyrë juridike për ta hedhur poshtë atë…Unë nuk e di se si kryeministri Kurti do të mund t’i shmanget zbatimit të kësaj marrëveshje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Ymeri.

    Ndërsa juristi Ehat Miftaraj thotë se për shkak të vendimit të Kushtetueses, delegacioni i Kosovës do të ketë më të lehtë negocimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    “Kosova duhet të zbatojë zotimet që ka dhënë para ndërkombëtarëve. Por këto zotime nuk duhet të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim çdo delegacion i Kosovës në negociata me Serbinë e ka më të lehtë pasi nuk mund të dalë jashtë asaj që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Ehat Miftaraj, përcjell Telegrafi.

    Analisti politik Naim Rashiti thotë se Kosova duhet të përcaktohet qartë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare në raport me Serbinë.

    “Kosova duhet të përcaktohet për një agjendë të saj se si të shkohet në një zgjidhje përfundimtare. Ndoshta në një moment edhe faktori ndërkombëtarë do të mobilizohet më mirë dhe më qëndrueshëm për të kërkuar këtë zgjidhje”, deklaroi Naim Rashiti.

    Marrëveshje fillestare mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacion ishte arritur në vitin 2013. Një tjetër marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 2015 por që pika të caktuara të asaj marrëveshje ishin kontestuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!