×
  • Lajme
  • Lajme

    Kujt mund t’i konfiskohet pasuria me ligjin e ri, flasin nga IKD

    Reporteri
    13 Prill 2021 | 20:08

    Qeveria e ka miratuar sot koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. 


    Yll Zekaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se nëse bëhet një ligj i tillë do ta ndryshojë krejtësisht konceptin e konfiskimit të pasurisë në Kosovë.

    “Sot Qeveria e Kosovës miratoi koncept dokumentin e dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë me të cilin tentohet që të bëhet një ligj me të cilin do të konfiskohet pasuria e pajustifikueshme. Në bazë të analizave të këtij koncept dokumenti shihet se do të ndryshojë në tërësi koncepti i konfiskimit të pasurisë në Kosovë duke kaluar nga ai penal në konfiskimin e pasurisë të natyrës civile. Për herë të parë në Kosovë do ta kemi mundësinë e konfiskimit të pasurisë pa u shpallur një person fajtor dhe pa pasur një aktgjykim të plotfuqishëm përmes një procedure civile e cila siç u shpjegua sot do të zbatohet përmes një agjencioni të pavarur që do të mandatohet për zbatimin e këtij ligji”, tha Zekaj për Klan Kosova.

    “Koncept dokumenti është fazë e hershme e hartimit të legjilslacionit që e përcakton vetëm qëllimin për të rregulluar një gjendje. Ne deri më tani nuk e dimë nëse Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës, për përgatitjen e këtij koncept dokumenti është konsultuar dhe ka bashkëpunuar me partnerët tanë ndërkombëtarë që janë Zyra e BE-së dhe Ambasada Amerikane të cilat kanë investuar një kohë të gjatë profesionalizëm dhe më shumë mjete për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë. Shpresoj që së shpejti Ministria e Drejtësisë do të formojë grupet punuese ku ata gjithsesi duhet të jenë pjesë me qëllim që ky ligj të sigurojë që të respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve fillimisht”, tha ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!