×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi i Serbisë më 27 maj synon të shfuqizojë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

    Reporteri
    21 Maj 2019 | 11:47

    Kuvendi i Serbisë, në një seancë të jashtëzakonshme që pritet të mbahet më 27 maj, mund të refuzojë ose të shfuqizojë të gjitha aktet e miratuara kohët e fundit nga parlamenti i Kosovës, siç është rezoluta mbi gjenocidin serb mbi shqiptarët gjatë luftës së fundit.


    Ky dokument mund të pasojë raportin e Presidentit Aleksandër Vuçiq për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe mbi shtetin e Kosovës, shkruan gazeta serbe Novosti, transmeton Reporteri.net.

    Ky është një nga opsionet që po konsiderohet si i mundshëm në seancën e paralajmëruar për 27 maj, në të cilën përpos presidentit serb Aleksandar Vuçiq është e ftuar edhe kryeministrja Ana Brnabiq, si dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

    Të martën, kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, përmendi mundësinë e mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të hidhej poshtë  rezoluta e Prishtinës për gjenocidin serb në Kosovë.

    Ndryshe, shumica e opozitës  serbe që po bojkotojnë seancat plenare, kanë thënë se nuk do të kthehen në ulëset e parlamentit as në seancën për Kosovën.

    Me 79 vota për dhe pa praninë e deputetëve serbë, Kuvendi i Kosovës  javën e kaluar miratoi “rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”. Kjo i hap rrugën procedurave për krijimin e një Tribunali për krimet serbe në Kosovë./Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!