Sot iu dha lamtumira e fundit 27-vjeçarit Valmir Fazliu në varrezat e fshatit Dolak të Vushtrrisë, i cili u vra të shtunën në Mitrovicë. Tragjedia ndodhi në Tregun Gjelbër të qytetit, ku edhe po shiste fidane, ndërsa sipas një banori të fshatit ai nuk e ka njohur dorasin më parë.
Për djalin e hasretit i cili u privua nga jeta në moshë të re, nuk kanë dashur të flasin nga familja e tij e ngushtë. Pak para se të varrosej të afërm të viktimës thanë për Gazetën Express se familja nuk është e gatshme të prononcohet për media.
Ndërsa, një banor i fshatit që e njihte mirë 27-vjeçarin e ndjerë tha se ai nuk ka pasur probleme me dorasin në të kaluarën, sipas tij janë njohur në treg, në ditën tragjike.
VIDEO e momentit të vrasjes së 27-vjeçarit.
“Ka shku në punë, fidane me shitë. Probleme s’kanë pas në të kaluarën mes vete, se ka njoft hiç atë njeri. As ne nuk e dimë se si ka ndodhë rasti”, u shpreh një bashkëfshatar i viktimës.
Sqarim i opinionit lidhur me disa shkrime të publikuara në disa portale, ku potencohet se disa zyrtarë policor të kenë qenë të përfshirë në rastin Vrasje e rëndë
Policia Rajonale e Mitrovicës theksoi se nga hetimet e deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke çasti ndërmjet të dyshuarit dhe viktimave të rastit.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ku ishin të përfshirë katër persona civil. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari Sh. A., 35 vjeçar, 27-vjeçari vdiq ndërsa dy të tjerë të plagosur, me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Gjithashtu lëndime trupore ka pësuar edhe 35-vjeçari i dyshuar, i cili më pas ka pranuar edhe trajtim mjekësor.
Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë, tri gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Ndërsa, në mesin e dëshmitarëve është intervistuar edhe një zyrtar policor i cili në kohen e ngjarjes ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ndodhej afër personit të dyshuar, ka njoftuar policia.
Ndaj te dyshuarit Sh. A., Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit.
Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, të mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.