Pas Lushnjes, kryetari i PD Lulzim Basha u ndal në Durrës ku iu rezervua një pritje e zjarrtë.
Teksa u ndal te ngjarja e sotme në Elbasan me 1 viktimë dhe 4 të plagosur, Basha tha se PD e refuzon dhunën.
“Nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash që të na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën dhe do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim,” tha Basha.
Më tej, Basha iu tha të pranishmëve se anëtarësimi në BE është rruga e vetme drejt mundësive, drejt mirëqenies, drejt lirisë, demokracisë.
“Jam i bindur se së bashku do të çelim derën e merituar të anëtarësimit në BE. Sepse çdo durrsak e di se ajo është rruga e vetme drejt mundësive, drejt mirëqenies, drejt lirisë, demokracisë, drejt Durrësit siç e ëndërrojnë durrsakët. Buçet nga ky shesh si kurrë më parë, shkëlqen nga sytë tuaj dielli që sapo perëndoi, dhe me këtë rast iu uroj besimtarëve agjërim të lehtë dhe të pranuar. Dielli mund të ketë rënë poshtë horizontit të kaltër të Durrësit të mahnitshëm, por nuk i ka lëshuar sytë e nënave durrsake, të rinisë durrsake sepse Durrësi e di se dita e diel është dita e ndryshimit, është dita e fitores. Fitorja më e bukur dhe më e çmuar sepse nuk do t’i takojë një partie, as edhe një koalicioni, por do t’i takojë të gjithë durrsakëve, të gjithë shqiptarëve. Qeveria e ndryshimit që ju do të sillni me votën tuaj për numrin 9 do t’i takojë çdo shqiptareje dhe çdo shqiptari. 8 vite të gjata, 8 vite të vështira, plot dështime dhe mashtrime”, tha Basha.
Basha tha se një pyetje do të marrë përgjigje më 25 prill: “A do durojë Durrësi dhe 4 vite të tjera pas 8 vitesh të njeriut që nuk bëri asgjë, nuk mbajti asnjë premtim, që qeveris Durrësin me banda, shkel mbi intelektualët, mbi qytetarinë apo që për 8 vite me radhë ia kyçi portat Shqipërisë, duke ndalur në vend numëro aspiratën e shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa”.