Procesi i vaksinimit në Zvicër, pas kritikave të shumta për zvarritje, së fundi ka fituar në shpejtësi.
Kështu, nga 15 prilli deri më 21 prill, janë injektuar 317,953 doza vaksinash kundër Covid-19 në gjithë vendin.
Kjo mund të shihet nga informacioni që Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka publikuar sot në faqen e saj të internetit, raporton srf.ch.
Me këtë shifër u thye për herë të parë “marka” prej 300,000 vaksinimesh në javë, transmeton albinfo.ch
Ndërkaq, mesatarja ditore ka shënuar po ashtu rekord, me 45,422 vaksina në ditë. Krahasuar me javën e kaluar, shkalla e vaksinimit është rritur për 18 për qind.
Gjithsej 2,284,438 vaksina janë dhënë në Zvicër që nga fillimi i procesit, deri të mërkurën.
Deri më tani, 843.459 njerëz janë vaksinuar plotësisht, d.m.th. 9.7 përqind e popullsisë tashmë kanë marrë dy doza vaksine, përcjell albinfo.ch. Ndërsa 597,520 njerëz kanë bërë vetëm vaksinimin e parë (6.9 për qind).
Edhe 399,187 doza vaksinash janë dorëzuar tashmë në kantone por nuk janë përdorur ende. Ndërkaq 94,375 doza vaksinash ruhen akoma në nivelin qendror, federal, gjegjësisht nuk u janë dorëzuar kantoneve.