Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në konferencën “Gjithëpërfshirja në arsim për të gjithë fëmijët“.
Në këtë konferencë, ku ishte i pranishëm edhe Murat Sahin, udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, u fol për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në arsim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe nevojën e vetëdijesimit të të gjithë akterëve në këtë aspekt, shkruan Reporteri.net.
Ministri Bytyqi deklaroi se MAShT është duke punuar shumë për të ofruar arsim cilësor për të gjithë, por ka edhe sfida sa i përket edukimit dhe arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë sonë.
Ai theksoi se janë të përkushtuar që të ndërtojnë politika për përfshirjen në arsim të fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Politikat arsimore janë orientuar drejt arsimit gjithëpërfshirës, ku përfshirja nuk shihet vetëm si një tregim nëpër shkolla, por një përvojë e veçantë për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe reformim dhe bashkëpunim i gjithë shoqërisë në ndihmë të kësaj kategorie”, u shpreh ai.
Në fund Ministri Bytyqi falënderoi UNICEF-in dhe të gjithë partnerët tjerë, që mbështesin zhvillimin e arsimit në Kosovë, e në veçanti arsimimin dhe edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta./Reporteri.net.