Bullgaria ka njoftuar se do të blejë avionët ushtarakë amerikanë F-16 për të zëvendësuar flotën e vjetër të MiG-29 të Rusisë.
Sofia, megjithatë, mendon se çmimi i ofruar nga SHBA është më i lartë se sa pritej, prandaj Bullgaria është e detyruar të kërkojë kompromise apo edhe të konsiderojë alternativat suedeze ose italiane, transmeton Reporteri.net.
Ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakatchanov në një prononcim para gazetarëve tha se negociatat me Shtetet e Bashkuara për blerjen e avionëve luftarakë F-16 po përparojnë. Gjatë prezantimit, Ministri kishte veshur një bluzë me emblemën e MiG-29 të Rusisë.
I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk e kishte vënë re këtë detaj.
Karakachanov shprehu shpresën se bisedimet me Shtetet e Bashkuara do të kenë sukses. Sipas tij, negociatat pritet të përfundojnë deri në fund të qershorit. /Reporteri.net