×
  • Lajme
  • Lajme

    Incident në 20 vjetorin e masakrës së Dubravës: Ish i mbijetuari largohet me forcë nga policia

    Reporteri
    22 Maj 2019 | 15:07

    Në 20-vjetorin e masakrës që forcat serbe orkestruan ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës situata eskaloi kur ish-i mbijetuari i kësaj masakre, Shefqet Kabashi doli para të pranishmëve dhe iu drejtua krerëve të institucioneve se ata nuk meritojnë të jenë prezent në këtë manifestim.


    Ndërkohë moderatorja e programit mundohej ta mbajë situatën nën kontroll, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu drejtua disa ish-të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me emra madje si Hajredin Kuçit dhe Nait Hasanit, të cilët sipas tij, e kanë quajtur tradhtar.

    “Marre duhet me ju ardhur, ju nuk duhet me qenë këtu…Cilit protokoll mua këta më thonë tradhtar qita, qyky Kuçi e qyky Njazia e qyky Naiti me shokët e vet, unë nuk jam tradhtar, unë jam luftëtar i lirisë … Na keni marrë bukën, duam shtet demokrat e jo komunist”, tha ai.

    Ndërsa, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi ishte i pari i cili tentoi ta pengojë Kabashin madje me forcë u mundua ta largojë, duke i thënë se ka kush vendos rend këtu.

    “Ka kush vendos rend këtu, nëse nuk tërhiqesh me forcë të largojë, hiqe këndej qiteni jashtë”, tha ai.

    E duke u larguar nga ambientet e burgut të Dubravës, Kabashi i shoqëruar nga policët me zë të lartë thoshte se ‘ju na keni bërë më zi se serbët’.

    “Unë ha shqip ju na keni bë ma zi se shkijet”, tha Kabashi.

    I pranishëm në këtë manifestim ku po përkujtoheshin të rënët e masakrës në burgun e Dubravës ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shumë ish-të mbijetuar të kësaj masakre, të cilët kërkuan që ata që e kryen këtë krimi të dënohet pasi autorët e kësaj masakra thanë se dihen.

    Në masakrën e Dubravës, nga data 19 maj e deri 24 maj 1999, u vranë mbi 160 të burgosur ndërsa masakrës i mbijetuan mbi 300 të tjerë.

    Ndryshe, Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për “refuzim të qëllimshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve”.

    Kabashi kishte refuzuar të dëshmojë kundër Haradinajt në procesin e kaluar gjyqësor, kur kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!