Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se nuk e ka parë “dokumentin jozyrtar” lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan për të cilin pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha ia ka dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Stoltenberg pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s në Bruksel me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se i ka parë lajmet lidhur me dokumentin jozyrtar (non paper).
“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg.
Sipas tij, NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon.
“Respektimi i dialogut konstruktiv dhe i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është rruga më e mirë për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Stoltenberg.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.