Partia Socialdemokrate sot ka bërë një aksion ku kanë vendosur mbishkrimin ‘UÇK’ mbi veturën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan Reporteri.net.
Molliqaj ka thënë se Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda dhe vendi nuk ka ku të shkojë pa UÇK-në.
Deklarata e bërë vite më parë e Gërvallës për Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku thoshte se do të ndihmonte me materiale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ngjalli reagime të shumta në opinonin publik.
Madje po kërkohet edhe dorëheqja e saj.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Veturës së ministres së jashtme sot ia shkruajtëm mbishkrimin UÇK. Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda. Kosova nuk ka ku shkon pa UÇK-në.
Kurti pati thënë se nuk e pranon Gjykatën dhe nuk i dorëzon njerëzit. Pastaj tha se shteti duhet ta organizojë mbrojtjen. Tash ka nisur luftën speciale të propagandës.
Në emër të transparencës Qeveria e ka dëmtuar mbrojtjen duke deklasifikuar pagesat për avokatët. Sikur në luftë, edhe sot e njëjta këngë. Po na tregojnë sa kushton UÇK-ja. Janë shumë vesh që duan ta bëjnë kalkulimin dhe koston argument. Ky regjistër është i njëjti që para luftës na i tregonte pasojat dhe rreziqet e luftës. Këtij veshi po i fryen Kurti sot. Kalkulimi është argument i frikës, i reaksionit. UÇK-ja është e guximit, e historisë.