×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Basha hedh hapin e parë drejt dialogut me Ramën

    Reporteri
    23 Maj 2019 | 23:11

    Politika shqiptare duket se po shkon drejt në tryeze dialogu për t’i dhënë fund krizës politike me opozitën e cila ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe thotë se do t’i pengojë ato.


    Pasi grupimi më i madh politik gjerman CDU/CSU apeluan ndaj politikës shqiptare për t’u ulur për dialog pa kushte poër zgjidhjen e krizës, lideri demokrat Lulzim Basha për herë të parë tha se është i gatshëm ta mirëpresë këtë angazhim. Duke lënë në një reagim jo të drejtpërdrejtë dhe disa evaziv, kryedemokrati Basha thotë se tregohet i gatshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbi angazhimin e Gjemanisë mike, siç ai thekson për të arritur zgjidhjen e krizës politike që siç edhe ai pranon, do t’i hapte rrugën europiane vendit.

    “Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë”, deklaron Basha.

    Në reagimin e tij Basha është kujdesuar të mos përdorë fjalët dialog dhe negociata por për herë të parë në gatishmërinë tij për zgjidhjen e krizës, nuk përmend largimin e Ramës.

    Edhe Rama e mirëpriti më herët thirrjen e CDU duke shprehur dakordësi të plotë për një dialog politik pa kushte. Në reagimin e tij Basha është kujdesuar të mos përdorë fjalët dialog dhe negociata por për herë të parë në gatishmërinë tij për zgjidhjen e krizës, nuk përmend largimin e Ramës.

    “U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, tha Rama.

    Dialog pa kushte për zgjidhjen e krizës që rrezikon të mbyllë dyert e Evropës, ishte apeli i gjermanëve, të cilët theksonin njëherës se janë të gatshëm të kontribuojnë në uljen e palëve në dialog pa kushte. Aktet e dhunshme të opozitës janë të papranueshme – thotë grupimi i CDU/CSU, teksa theksojnë se dialogu pa kushte nënkupton që nuk përjashtohet asnjë temë, siç është edhe shtyrja e zgjedhjeve të 30 qershorit.

    “Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.”, thuhet në reagimin për Deutsche Welle.

    Ky duket hapi i parë i dialogut mes dy forcave kryesore politike në vend. Tashmë pritet ndikimi i ndërmjetësimit të Gjermanisë mes palëve politike, për të parë nëse do ketë ndryshim kushtetues me dekret të presidentit, për datën e zgjedhjeve për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes së opozitës në këtë proces zgjedhor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!