×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Kush është ish-polici që vrau gruan me kallashnikov

    Reporteri
    06 Maj 2021 | 15:42

    Personi që shihni në foto është Koço Buzo, ish-polici i cili vrau sot bashkëshorten e tij dhe plagosi dhe dy persona të tjerë. Ngjarja ndodhi ditën e sotme pranë Gjykatës së Elbasanit rreth orës 12:15 të mesditës.


    Bëhet me dije se Buzo qëlloi për vdekje me kallashnikov gruan e tij, Liljana Buzon, ndërsa aksidentalisht u plagosën dy kalimtarë që tentuan të parandalonin ngjarjen.

    Është bërë e mundur që direkt pas ngjarjes autori të ndalohet nga policia.

    Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur pas mbarimi të seancës së divorcit sepse çifti Buzo kishin nisur procedurat e divorcit, ndërsa viktima e kishte denoncuar për dhunë burrin e saj, i cili sot i mori jetën. Mësohet se viktima ka lënë pas tre fëmijë, një vajzë 26-vjeçare si dhe dy djem, 20 dhe 18-vjeçar.

    “Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

    Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!