Një numër i vogël njerëzish preken me COVID-19 pasi janë vaksinuar.
“Asgjë nuk është 100% e sigurtë në këtë botë”, thotë Gigi Gronvall, një studiuese në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.
Ndërsa variante të reja shfaqen në të gjithë botën, shkencëtarët thonë se është e rëndësishme të vëzhgohen nga afër këto raste të rralla. Ato mund të jenë shenja të diçkaje më serioze.
“Është e mundur që të shfaqen më shumë variante të reja nga të cilat nuk të mbrojnë dot vaksinat” tha zonja Gronvall. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që këto raste të hetohen.”
Nga 95 milionë njerëz të vaksinuar plotësisht deri më 26 prill, u raportuan 9,245 infeksione me COVID-19. Kjo përbën më pak se një të qindën e përqindjes, megjithëse CDC-ja thotë se kjo shifër mund të jetë më e lartë.
“Jo çdo individ që merr vaksinën reagon ndaj virusit”, tha Jacques Ravel, nëndrejtor në Institutin e Shkencave të Gjenomit në Universitetin e Merilendit. “Nuk jemi 100 për qind të sigurt se edhe pse këta njerëz janë vaksinuar, sistemi i tyre imunitar nuk ka reaguar në shkallën e duhur”.
Për të dalluar ndryshimin mes një përgjigje të dobët të sistemit imunitar dhe shfaqjes së një varianti të ri të virusit, shkencëtarët duhet të deshifrojnë kodin gjenetik, ose sekuencën e virusit që shkakton infeksionin tek pacienti i vaksinuar.
Universiteti i Merilendit është pjesë e një rrjeti mbarëkombëtar institucionesh që studion sekuencat e varianteve të COVID-19. Zoti Ravel tha se instituti i tij nuk ka parë ndonjë përsëritje të të njëjtës sekuencë tek viruset që kanë infektuar pacientët e vaksinuar. Kjo, tha ai, tregon se ka më shumë gjasa që “njerëzit që nuk iu përgjigjën pozitivisht vaksinës janë infektuar sepse nuk janë mbrojtur”.
Nëse, nga ana tjetër, ” fillojmë të shohim të njëjtën sekuencë tek grupi i vaksinuar, atëherë do të fillojmë të shqetësohemi,” tha ai.
Deri tani, vaksinat në përgjithësi po funksionojnë jashtëzakonisht mirë, madje edhe kundër varianteve të reja. Të dhënat e fundit nga Izraeli, ku varianti i parë i identifikuar në Britani është mbizotërues, tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech ishte 95% efektive. Varianti i Mbretërisë së Bashkuar përhapet më lehtë dhe mund të jetë më vdekjeprurës se virusi fillestar.