Si arritëm këtu?
Kriza aktuale mes popullsisë izraelite dhe asaj palestineze e ka origjinën me themelimin e shtetit hebre në vitin 1948 dhe u intensifikua në vitin 1967 pas luftës 6-ditore mes një aleance shtetesh arabe dhe Izraelit që përfundoi në triumfin e hebrenjve që ripushtuan Jerusalemin dhe vendet e tij të shenjta.
Çështja kryesore që nxit konfliktin ka qenë përhapja e popullsisë izraelite në lindje të Jerusalemit duke marrë kështu territor ntë banuar nga arabët. Ambicja e Palestinës është që të themelojë kryeqytetin e vet në Jerusalemin lindor dhe fakti që popullsia arabe sa vjen dhe zvogëlohet në këtë zonë e bën këtë ambicje gjithnjë dhe më pak të realizueshme.
Përse filloi hedhja e raketave nga militantët e Hamas?
Ajo që provokoi Hamas ka qenë ndërhyrja e forcave hebreje të rendit në xhanimë Al-Aqsa që shkaktoi konflikte dhe përplasje. Hamas paralajmëroi se do të reagonte në rast se Izraeli vazhdonte të kryente kontrolle në xhamitë, një “ultimatum” që nuk u mor parasysh nga autoritetet për shkak se gjatë muajit të Ramazanit shtohet radikalizimi dhe risku që të ketë akte terroriste ndaj kontrolli në vendet e kultit islamik është esencial për të garantuar sigurinë në Jerusalem.
Gjithashtu, fakti që SHBA (veçanërisht gjatë presidencës Trump) mbështet dhe mbron Izraelin frustron dhe më shumë militantët që mbështeten nga Turqia dhe herë pas here nga Rusia për të qenë agresivë dhe për të kërcënuar Izraelin.
Cili është qëllimi i këtyre akteve?
Përgjatë viteve Hamas dhe Izrael kanë vërtetuar se vështirë se mund të gjejnë gjuhën e përbashkët përsa i përket një zgjidhjeje konsensuale, ndaj objektivat politikë janë radikalë. Arabët kërkojnë mos-ekzistencën e shtetit të Izraelit, ndërkohë që Izraelitët me kalimin e kohës tkurrin dhe më tej territorin palestinez duke e lënë esencialisht as 1/7 e asaj që ishte në vitin 1948.
Ndonëse opresioni izraelit nuk është ndalur në asnjë moment, strategjia politike e Hamas është më dritëshkurtër, teksa fondet që shkojnë në rajon nga komuniteti ndërkombëtar konvertohen në armatime dhe qeveria e Hamas nuk punon për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësinë e jetës së banorëve të rripit të Gazës.
A po shkojmë drejt një lufte civile?
Tejet shqetësues ka qenë përgjatë këtij konflikti, fakti që dhuna mes ushtrive ka tejkaluar në një konflikt civil ku popullsitë arabe dhe ato hebreje janë përplasur në rrugët e qyteteve. Ditën e djeshme u raportua se banda civile izraelite kishin bllokuar udhëkryqet dhe godisnin me gurë makinat e arabëve, ndërkohë që në lagje me shumicë arabe janë hedhur bomba molotov dhe janë shkatërruar bizneset e hebrenjve.
Rrallëherë në të shkuarën përplasjet mes Hamas dhe Ushtrisë Izraelit kanë ndikuar kaq shumë në psikologjinë dhe aktet e civilëve, çka është konsideruar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, një gjë edhe më e rrezikshme se raketat.
Cila është zgjidhja?
Për të zgjidhur situatën duket që SHBA dhe Egjipti të marrin rolin e ndërmjetësit për të ulur gjakrat dhe për të drejtuar shtetet drejt normalizimit. Administrata Trump arriti të ruante paqen duke treguar hapur se çdo cënim i Izraelit do të kishte pasoja kolosale dhe katastrofike për arabët, teksa politika më e moderuar e Biden duket se ka krijuar një hapësirë më të madhe për konflikt. Megjithatë, çfarëdolloj qëndrimi që Washington-i të mbajë në këtë moment, mbështetja e Kairos është esenciale për të dialoguar me palën palestineze.
Një zgjidhje përtej ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar, nuk mund të ketë, në kushtet kur dhe Netanjahu dhe liderët e Hamas janë zotuar të luftojnë deri në shkatërrim të plotë të kundërshtarit./“The Guardian”/