×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Sali Berisha u shpall “non-grata”, reagon ashpër Palmer: Abuzoi, pasuroi veten dhe familjen e tij

    Reporteri
    20 Maj 2021 | 16:25

    Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer i tha Zërit të Amerikës se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin.


    I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish-presidentin, Sali Berisha, Palmer tha se koha nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.

    “Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut“, tha Palmer.

    “Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi Palmer.

    “Ky është një ndër instrumentet që ne kemi për të luftuar korrupsionin publik. Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!