Autor: Mirind Behluli
Me anë të dekreteve të Presidentes Vjosa Osmani e me rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së udhëhequr nga ministrja Donika Gërvalla janë shkarkaur 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë të emëruar politikisht. Një vendim i tillë, sipas ministres Gërvalla, erdhi si pjesë e reformës së shërbimit diplomatik.
Nëpërmjet një videoje, e para e MPJD-së tha se në javët në vijim do të emërohen ambasadorët e rinjë.
“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi Gërvalla, shkruan Reporteri.net.
Për ish-diplomatin e karrierës, Avni Spahiu, numri i madh i ambasadorëve të shkarkuar është befasi.
Tutje ish-ambasadori i Kosovës në Washington e Ankara mendon se një shkarkim en masse i ambasadorëve politikë do të shkaktoj vakum negativ në shërbimin diplomatik.
“Shkarkimi nuk është befasi, por numri i madh i ambasadorëve të shkarkuar. Kjo krijon një presedan dhe vakum negativ në shërbimin diplomatik. Nga ana tjetër ka një bazë ligjore ngaqë raporti 50 me 50 për qind është i sanksionuar me ligj”, tha Spahiu.
Ligjshmëria e dekreteve?
Gazeta “Reporteri.net” ka konsultuar juristë të ndryshëm të cilët i ka pyetur rreth ligjshmërisë së dekreteve të Presidentes Osmani për shkarkimin e ambasadorëve politikë.
Ata thanë se këto dekrete nuk e arsyetojnë referencën ligjore të cituar.
Me shkarkimin e ambasadorëve pa arsyetim në dekrtet e nxjerra, MPJD e Presidenca mund të kenë shkelur ligjet në fuqi.
Sipas interpretimit të juristëve të Gazetës Online ‘Reporteri.net’, lirimi nga detyra është edhe çështje disiplinore.
Ngase ashtu siç parashihet me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, ambasadorët mund të lirohen nga detyra për shkaqe disiplinore.
Por, për të evidentuar shkeljet disiplinore, duhet të formohet Komisioni i veçantë i përbërë nga 7 anëtarë, i cili bën shqyrtimin e shkeljeve. Sepse, pavarësisht nëse ambasadorët janë të emëruar sipas çelesit politik apo jo, procedura e shkarkimit është e njëjtë.
E mungesa e arsyetimeve për shqyrtimin e shkeljeve nga Komisioni i veçantë mund të jetë arsye e bollshme që këto dekrete të anulohen në rast se ambasadorët e shkarkuar kërkojnë shqyrtim ligjor në gjykatat e vendit.
Po ashtu, siç e kërkojnë parimet procedurale, ambasadorëve tashmë të shkarkuar do të duhej t’u jepej mundësia e deklarimit rreth vendimit para këto vendime të dekretoheshin nga Presidentja Osmani.
Ndonëse vlerësohet se MPJD është institucioni kryesor që ka bërë këto lëshime, edhe presidentja Osmani ka bërë lëshime. Si shefe e shtetit, Presidentja Osmani do të duhej të kujdesej për procedurat, sepse edhe në kuptim të ligjit e ka të drejtën e revidimit.
Kujtojmë që Qeveria e Presidenca kanë shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë.
Beqë Cufaj në Gjermani, Nait Hasani në Shqipëri, Arbër Vllahiu në Çeki, Lirim Grejqevci në Holandë, Shpend Kallaba në Hungari, Gezim Kasapolli në Kroaci, Avni Kastrati në Slloveni, Hajdin Abazi në Australi, Ylber Hysa në Mal të Zi, Gjergj Dedaj në Maqedoni, Avni Arifi në Emiratet e Bashkuara e Amir Ahmeti në Katar janë të shkarkuarit nga pozita e ambasadorit.
Reporteri.net gjatë ditës ka shkruar se Ambasadaa e Kosovës në Maqedoni ka mbetur pa shef të misionit pasi Gjergj Dedaj është shkarkuar nga pozita e ambasadorit në këtë vend fqinj.
Me largimin e Dedajt nga ambasada, shef i misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoni në cilësinë e të ngarkuarit të përkohshëm me punë është bashkëshorti i Presidentes Osmani.
Ambasadorët e munguar të Kosovës
Kosova ka 32 ambasada anëmbanë botës e me shkarkimin e fundit të 12 ambasadorëve, Kosova nuk ka ambasadorë në 17 vende të botës.
Washingtoni, Londra, Parisi, Brukseli, Berlini, Tirana, Shkupi, Tokio, Haga, Budapesti, Kanbera, Doha, Zagrebi, Praga, Bangoku, Lubljana e Podgorica janë kryeqendrat e vendeve ku Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve diplomatike.
Në 12 misionet diplomatike të mbetur pa ambasadorë, Kosova do të përfaqësohet me të ngarkuar të përkohëshëm me punë deri në dekretimin e ambasadorëve të rinj.