Gjon Muharremaj, ose siç tashmë e njohim me emrin e artit Gjon’s Tears arriti të fitonte vendin e tretë në “Eurovision”, si dhe u shpall artisti më i votuar nga juria.
Ndonëse Gjoni përfaqësoi Zvicrën ai ka shprehur dëshirën që të përfaqësonte edhe vendin e tij të lindjes, Shqipërinë. Madje sot qarkulloi në rrjet një video nga intervista e Gjonit, i cili shprehej se produksioni i Festivalit të Këngës i kishte thënë se nuk kishte më vend pasi artistët ishin përzgjedhur.
“Unë aplikova në Zvicër me artistët e Zvicrës, por një javë para aplikimit të këngës më ka thirrur Alketa Vejsiu dhe më ka ftuar që të shkoj atje [Festivali i Këngës] dhe të përgatisja një këngë. Faktikisht kisha aplikuar për Zvicrën dhe u telefonova [organizatorëve] dhe u thashë që ‘a jeni të sigurt që do më merrni mua, sepse është dhe Shqipëria…’ dhe më kanë thënë, ‘shko edhe te Shqipëria që do, ne duam që ti të shkosh sa më larg, qoftë me ne qoftë me Shqipërinë’. Më ka thënë produksioni i Shqipërisë që nuk kishin më vend për ta bërë festivalin. Më kanë telefonuar dhe më kanë thënë përgatit një këngë për të enjten, kisha vetëm katër ditë për ta kompozuar. Prandaj i thashë edhe Zvicrës që a mund ta marrin ata dhe këngën time, sepse nuk kam si shkoj pa këngë. U thashë nëse mund të aplikoja me këtë këngë [“Répondez-moi”] dhe më thanë “po”. Të enjten më kanë thënë që ‘i kemi 25 artistë dhe duhet që Festivali i Këngës vetëm me 20’.”
Bëhet fjalë për kohën kur Festivalin e drejtonin Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.
Vejsiu është kontaktuar nga “Anabel” dhe është shprehur: “Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht. E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi.”