×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Arsimit financon bursa në kolegjin që nuk “njihet” nga shteti bazë

    Reporteri
    02 Qershor 2021 | 19:14

    Qeveria Kurti ka vendosur të martën që të financojë nga buxheti i shtetit 60 bursa për studime në një universitet privat, diplomat e të cilit institucion arsimor nuk njihen në shtetin bazë.


    Përkundër premtimit për ndalimin e keqmenxhimit të parasë publike, Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me një institucion të huaj të arsimit të lartë, të “panjohur” në shtetin ku vepron.

    Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nënshkroi të martën një memorandum bashkëpunimi për ndarjen e 60 bursave me Kolegjin City të Jorkut në Selanik, i cili nuk është licencuar nga autoritetet greke.

    Nënshkrimin e marrëveshjes me Kolegjin City të Jorkut në Selanik, e përshëndeti ministrja Nagavci. Në një njoftim për media të martën, ajo u shpreh falënderuese për mbështetjen që kolegji me bazë në Greqi i ka dhënë Kosovës.

    “Bashkë me zëvendësministrin dhe zyrtarët e ministrisë, e falënderuam presidentin e Kolegjit CITY, njëherësh edhe drejtor i këtij kolegji, Ioannis Ververidis për mbështetjen që i është dhënë vit pas viti arsimit të lartë në Kosovë dhe të rinjve tanë përmes përkrahjes financiare për të studiuar në këtë Kolegj”, u shpreh Nagavci.

    Ministrja Nagavci njoftoi se 30 bursa për studime në Kolegjin City të Jorkut do t’i financojë 100 për qind Ministria e Arsimit, ndërkaq 30 të tjera do të financoheshin nga shteti në tarifë studimi prej 50 për qind, raporton Gazeta Insajderi.

    Marrëveshja paraqet vazhdimësinë e bashkëpunimit të qeverisë me kolegjin privat, të nisur në vitin 2009 nga pushteti i ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

    Kampusi Evropian i Kolegjit të Jorkut në Selanik, është një kolegj privat i cili nuk njihet nga shteti bazë, Greqia. Kolegji nuk është i licencuar nga institucionet kompetente arsimore në Greqi.

    Kushtetuta e Greqisë garanton një monopol publik të arsimit të lartë dhe çfarëdo diplome e lëshuar nga institucionet private nuk njihet si e nivelit universitar. Kjo parashihet me nenin 16 të Kushtetutës së Greqisë. Rrjedhimisht, shteti grek nuk i njeh as diplomat e Kolegjit City.

    Por, pavarësisht se nuk njihet në Greqi, ky kolegj ka gjetur mbështetje financiare në Kosovë.

    Kësisoj, Qeveria Kurti ka vendosur të martën që të financojë nga buxheti i shtetit 60 bursa për studime në një universitet privat, diplomat e të cilit institucion arsimor nuk njihen në shtetin bazë.

    Në këtë kolegj, në të kaluarën kanë përfituar bursa njerëz të afërt me pushtetet e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe ish-deputetë.

    Diplomë nga Kolegji City kishte përfituar edhe Kadri Veseli, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Në vitin 2016, në një ceremoni të organizuar nga Kolegji City i Jorkut, ish Kolegji City i Sheffieldit, Kadri Veseli u nderua me çmim e parë si studenti më i dalluar.

    Ministria e Arsimit ka njoftuar se 60 bursat e studimeve në Kolegjin City, do të ndahen brenda muajve të ardhshëm. Afati i fundit për aplikim për bursa është caktuar të jetë data 28 qershor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!