×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet e Kuvendit, Meta: Akt i dënueshëm dhe i papranueshëm

    Reporteri
    08 Qershor 2021 | 12:38

    Kreu i shtetit Ilir Meta në një postim në faqen e tij ka kritikuar vendimin e Byrosë së Kuvendit që gazetarët dhe kamerat e televizioneve të mos lejohen më në ambientet e komisioneve parlamentare.


    Meta e ka cilësuar si të dënueshëm, të papranueshëm dhe antidemokratik këtë vendim, siç e quan ai të Kuvendit njëpartiak.

    Gjithashtu Meta shprehet se mbështet shqetësimin e gazetarëve, ndërsa i bën thirrje Kuvendit dhe maxhorancës që të heqin dorë nga ky vendim. “I bëj thirrje Kuvendit monist dhe maxhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, shprehet Meta ndër të tjera.

    Reagimi i plotë:

    I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.

    Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

    Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

    Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!