Kryetarja e trupit gjykues në Hagë, Mappie Veldt-Foglia, në seancën e sotme përgatitore për gjykim ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka thënë se do të mbahen seanca të cilat nuk do të transmetohen.
Veldt-Foglia ka bërë të ditur se seancat ex parte do të mbahen nesër dhe pasnesër, shkruan Reporteri.net.
“Nesër do të mbajmë seanca të mbyllura, pastaj edhe një seancë tjetër të mbyllur me ZPS-në”, tha kryegjykatësja.
Në anën tjetër, Prokuroria tha se do të bëjnë kërkesë për shtimin edhe të një dëshmitari tjetër në listën e Prokurorisë.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. /Reporteri.net