Profesori universitar i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, ka reaguar pas aksionit protestues të Partisë Socialdemokrate tek kisha e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Latifi ka thënë se ky është një reagim krejtësisht i gabuar ndaj liturgjisë së djeshme, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, spektaklet politiko-simbolike brenda dhe jashtë këtij objekti vetëm sa e faktorizojnë atë dhe kjo gjë përbën edhe objektivin e qeverisë në Beograd.!
“Aksioni i PSD-së te kisha e Millosheviqit në oborrin e UP-së, është një reagim krejtësisht i gabuar ndaj liturgjisë së djeshme. Spektaklet politiko-simbolike brenda dhe jashtë këtij objekti vetëm sa e faktorizojnë atë dhe kjo gjë përbën edhe objektivin e qeverisë në Beograd.”, ka shkruar ai në Facebook.
Aktivistët e PSD-së kanë shkruar “Simoboli i shovinizmit bëhet faltore. Bekoi: Albin Kurit”, në derën e kishës.
Ky aksion i partisë së Dardan Molliqajt vjen një ditë pas liturgjisë që është mbajtur në Kishën që ndodhet në oborr të Universitetit të Prishtinës.
Ndryshe, serbët dje u rikthyen në kishën e papërfunduar, për herë të parë pas vitit 1998, për të mbajtur një liturgji fetare.
Siç njoftoi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, liturgjia u mbajt nga Peshkopi Teodosije.
Ky veprim i Kishës Ortodokse Serbe ngjalli reagime të shumta në Kosovë, e madje u konsiderua provokim.
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë.
Postim i plotë i Latifit:
Aksioni i PSD-së te kisha e Millosheviqit në oborrin e UP-së, është një reagim krejtësisht i gabuar ndaj liturgjisë së djeshme. Spektaklet politiko-simbolike brenda dhe jashtë këtij objekti vetëm sa e faktorizojnë atë dhe kjo gjë përbën edhe objektivin e qeverisë në Beograd. Dardan Gashi e tregoi dje zgjidhjen adekuate: Drynin!
/Reporteri.net