Sot, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.
Gazeta Online “Reporteri.net” pas vendimit të siguruar të presidentes, raportoi se ky vendim erdhi me arsyetimin se kryesuesja e KQZ-së, Valdeta Daka, gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni.
Tutje, në dokumentin e siguruar nga Reporteri.net, thuhet se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ.
“Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021 ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shume raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve te partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet nder tjerash në vendimin e presidentes Osmani.
Por, çfarë do të ndodhë tani pas këtij vendimi të presidentes Osmani dhe si do të zgjidhet kryesuesi i ri i KQZ-së?
Kryesuesi i KQZ-së emërohet në pajtueshmëri me nenin 139(3) të Kushtetutës së Kosovës.
Neni 139 (4) i Kushtetutës së Kosovës parasheh se caktimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet sipas procedurave në vijim:
a) Brenda dhjetë (10) ditëve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, grupet parlamentare me të drejtë të caktimit të anëtarit(ve) në KQZ e njoftojnë Presidentin e Kosovës për nominimin e tyre.
Pas sigurimit se individi i caktuar nga grupi parlamentar i përshtatet kërkesave të këtij ligji, Presidenti i Kosovës, brenda pesë (5) ditëve e konfirmon me shkrim emërimin. Emërimi hyn në fuqi në ditën e shënuar në emërimin zyrtar nga Presidenti i Kosovës;
b) Kryesuesi i KQZ-së nuk shërben në më shumë se dy (2) mandate të njëpasnjëshme;
c) Anëtarët e KQZ-së nuk shërbejnë në më shumë se tri (3) mandate të njëpasnjëshme;
d) Përfundimi i mandatit bëhet në ditën e fundit të muajit kalendarik, në të njëjtin muaj në të cilin ka filluar mandati;
e) Pavarësisht nga pika (d) e këtij paragrafi mandati që përfundon nëntëdhjetë (90) ditë ose më pak para zgjedhjeve ose deri 90 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, automatikisht zgjatet për 90 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
61.4 Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
61.5 Mandati i Kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtarë të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes ose nga Presidenti i Kosovës me efekt të menjëhershëm, në rrethanat e mëposhtme:
a) Anëtari dështon në plotësimin e kushteve dhe kritereve që dalin nga ky ligj;
b) Anëtari nuk merr pjesë, pa ndonjë arsyetim të arsyeshëm, në tri mbledhje të njëpasnjëshme të KQZ-së dhe ndërprerja e mandatit miratohet nga dy të tretat (2/3) e votave të shumicës së KQZ-së;
c) Anëtari është i dënuar për vepër penale; 29
d) Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së;
e) Anëtari nuk është në gjendje t’i kryej detyrat e veta për më shumë se gjashtë muaj me radhë.
Çfarë ndodhë nëse presidenti i vendit, ia ndërpren mandatin kryesuesit të KQZ-së, si në rastin e Osmanit-Daka?
Neni 61.6 i Kushtetuesës thotë se emërimi i ri për zëvendësim bëhet në pajtim me procedurat e këtij neni dhe anëtari i ri shërben vetëm për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur të anëtarit të zëvendësuar
“61.6 – Nëse mandati ndërpritet nga Presidenti i Kosovës, emërimi i ri bëhet në pajtim me këtë nen. Emërimi i ri për zëvendësim bëhet në pajtim me procedurat e këtij neni dhe anëtari i ri shërben vetëm për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur të anëtarit të zëvendësuar por do të jetë subjekt i riemërimit në pajtim me këtë nen”, thuhet në këtë nen.
Ndërkaq, Presidentja Vjosa Osmani ka kohë që nuk pajtohet me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën.
Në janar, ajo kishte paralajmëruar masa ndaj institucionit që i organizon zgjedhjet, ndërsa u raportua se edhe si ushtruese e detyrës së presidentes atë kohë, mund t’i shkojë mendja edhe ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së.
Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-Presidenti Hashim Thaçi.