×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shkarkimi i Ilir Metës, Kuvendi e dërgon kërkesën në Gjykatën Kushtetuese

    Reporteri
    14 Qershor 2021 | 16:58

    Kuvendi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese raportin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pesë ditë nga votimi në parlament për shkarkimin e Metës, Kuvendi kërkon tani më edhe aprovimin nga institucioni final që është Gjykata Kushtetuese.


    Trupa prej 7 anëtarësh pritet të marrë në shqyrtim një nga çështjet më të rëndësishme, që është edhe fati i Ilir Metës ku vendimmarrja e saj do të shënojë një precedent të ri, ose shkarkimin final të kreut të shtetit ose rrëzimin e Kuvendit në tentativë për të shkarkuar Presidentin e Republikës.

    Parlamenti miratoi me 104 vota raportin e përgatitur nga komisioni hetimor i ngritur posaçërisht për të, duke marrë të paktën 10 vota nga radhët e opozitës parlamentare.

    Kjo ishte tentativa e dytë e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën, kur u treguan më të vendosur. Hetimi i parë parlamentar ndaj tij kaloi vetëm me disa këshilla se si duhet të sillet Presidenti, pasi Komisioni i Venecias këshilloi mazhorancën t’ia falte Presidentit disa tejkalime të kompetencave, duke mos i konsideruar si shkelje të rënda kushtetuese. Këshillat nuk u morën për bazë dhe fjalët e dala nga goja e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale, ishin provat që socialistët paraqitën si fakte të mjaftueshme, këtë herë, për ta shkarkuar. /a2news/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!