Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, ka thënë se edhe brenda BE-së nuk ekziston një optimizëm për arritjen e një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Bislimi ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet parë në kontekst të situatës politike në Serbi. Janë deklarata më tepër për konsum të brendshëm në Serbi.
“Mendoj që edhe brenda BE-së nuk ekziston optimizmi për arritje të shpejtë të marrëveshjes, por në anën tjetër ekziston bindje që deklaratat e Vuçiqit duhet të shihen në kontekst të situatës politike atje. Janë deklarata për konsum të brendshëm në Serbi. Pasi sipas interepretimit të tyre, edhe Vuçiqi e di mirë se për çfarë janë negociatat. Po jatohem se kjo krijon terren të frytshëm për brengë edhe brenda BE-së nëse dizajnon një proces që duhet të çojë te njohja reciproke, e pala tjetër thotë se ky proces nuk do të çojë kurrë atje”, ka thënë Bislimi në intervistë për KTV-në.
Bislimi ka thënë se ka mundësi që të ketë një takim mes palës kosovare dhe asaj serbe në fillim të korrikut.
Ai ka treguar se problemi ka lind në momentin kur pala kosovare ka treguar se në dhjetë vjetët e fundit dialogu nuk ka qenë i strukturauar dhe se nuk është ditur fundi.
Ai ka shtuar se kjo ka dhënë hapësirë të madhe për interpretim.
“Ishte propozim në start të vendosen elementet kryesore të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme e pastaj të jepen ato elemente tjera që duhet implementuar pas nënshkrimit të marrëveshjes finale. Por, jo të fillohet me marrëveshje individuale e të thuhet në fund e bëjmë marrëveshjen finale që nuk dihet se si do të duket”, ka thënë Bislimi.