Ideja për nënshkrimin e një marrëveshjeje dy palëshe të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e propozoi sot kryeministri Albin Kurti, ishte hedhur në diskutim publik nëntë vjet më parë.
Asokohe, koalicioni qeveritar të cilin e kryesonte Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve në mënyrë që të përmbyllen të gjitha çështjet e hapura mes njëra-tjetrës.
Numri dy i Qeverisë Thaçi 2, Hajredin Kuçi kishte propozuar që Kosova dhe Serbia duhet t’i përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat të paqes.
“E ky traktat nënkupton që të definohen raportet ndërshtetërore, të përfshihen reparacionet e luftës, nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve për të ardhmen. Traktatet janë marrëdhënie mes dy sovraniteteve, pra shtetet bëjnë traktate dhe jo të tjerët”, kishte thënë Kuçi.
Nëntë vjet më vonë, pas përmbylljes së takimit të parë me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, një ide të ngjashme e propozoi si zgjidhje Albin Kurti, shefi aktual i ekzekutivit.
Në mesin e katër propozimeve që Kurti tha t’i ketë paraqitur në takimin e zhvilluar sot në Bruksel, ishte edhe ajo për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, thuhej në pikën e dytë nga katër propozimet e Kurtit.
Kurti tha se i kanë bërë katër propozime në takim, por shtoi se tri prej tyre janë refuzuar.
“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë. Pala tjetër fliste për ide të vjetra. Ne dhamë katër propozime të reja”, tha Kurti në paraqitjen e tij para mediave.