×
  • Lajme
  • Lajme

    Salih Mustafa, i pari ndaj të cilit do të nisë gjykimi nga Specialja

    Reporteri
    19 Qershor 2021 | 22:30

    Salih Mustafa nuk do të njihet më vetëm si i arrestuari i parë i Speciales.


    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë edhe i pari ndaj së cilit në Dhomat e Specializuara në Hagë do të nisë gjykimi i njëmendtë.

    Procesi gjyqësor nis më 15 shtator 2021, 356 ditë pasi ish-komandant Cali u transferua në Holandë më 24 shtator të 2020.

    E në vendimin e publikuar, të premten në darkë, nga kryetarja e trupit gjykues, holandezja Mappie Veldt Foglia, janë dhënë edhe disa urdhra dhe vendime për mbrojtjen dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Është bërë e ditur edhe kërkesa e kësaj të fundit për kohën që i duhet ta japë fjalën hyrëse.

    Për të ardhur deri te ky vendim ndaj Mustafës më 9 dhe 10 qershor u mbajtën tri seanca përgatitore radhazi, ku u bë e ditur se mbrojtja ende nuk ka përfunduar hetimet e saj dhe se nuk i ka takuar të gjithë dëshmitarët që i ka në listë.

    Derisa para qershorit, ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit ishin zhvilluar edhe gjashtë seanca të tjera të quajtura konferenca statusore.

    Në to ishte bërë e ditur se ndaj Mustafës do të dëshmojnë më tepër se 16 dëshmitarë dhe se janë mbledhur mijëra dokumente nga prokurorët e specializuar.

    Mustafa akuzohet se gjatë prillit të vitit 1999 kreu krime lufte në një qendër ndalimi në Zllash, në afërsi të Prishtinës, dhe përveç Jakup Krasniqit është i akuzuari i vetëm që e cilësoi procesin si padrejtësi në krahasim me mosgjykimin e serbëve që me urdhra shtetërorë kryen krime në Kosovë.

    Kështu kishte mohuar gjithçka që gjendet në aktakuzë duke u deklaruar i pafajshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!