×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi nesër sërish tenton formimin e Tribunalit për gjenocidin serb – a do ta braktis opozita seancën?

    Reporteri
    29 Maj 2019 | 19:04

    Autor: Blendi Gashi


    Kuvendi i Kosovës nesër nga ora 10:00 do të mbajë seancë plenare ku do të vazhdoi pikat e papërfunduara nga seancat e mbajtura më 16 dhe 20 maj, pastaj pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 7 mars.


    Reporteri.net ka siguruar rendin e ditës për seancën e nesërme, ku pika e parë që është paraparë është votimi i Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, pastaj vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish-Fabrika e tjegullave, vendimi për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek stacioni hekurudhor i Prishtinës si dhe caktimi i Ditës së Gjenocidit.

    Se nesër do të tentohet të votohet themelimi i Tribunalit e tha edhe kryekuvendari Kadri Veseli nga Prizreni.

    “Pres që nesër Kuvendi ta nderon vetvetën me votimin e këtij Tribunali. Ne nuk do te harrojmë të kaluarën, ndërsa falja është goxha e vështirë në rastet e tilla”, ka deklaruar Veseli gjatë tubimit në Prizren, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se do të punoi fort që Tribunali të ndodh dhe kriminelët serb ta marrin dënimin e merituar.

    Veseli kërkoi nga partitë politike t’i lënë anash inatet dhe së bashku të punojnë për të ardhmen e shtetit.

    “Duhet të lëmë anash ndasitë politike dhe të pozicionohemi drejt një shteti që fëmijët tonë duan të jetojnë. Duhet ta ndërtojmë një Kosovë perëndimore, një shtet të ndërtuar ekonomikisht”, ka deklaruar Veseli.

    Por opozita nuk ka një qëndrim të saktë se si do të veproj nesër, kur kihet parasysh se seancën e kaluar braktisën punimet e Kuvendit.

    Arban Abrashi, deputet i LDK-së ka thënë se nesër para mbajtjes së seancës do të marrin vendim se si do të veprojnë.

    “Nesër në ora 09:00 do të mblidhet grupi parlamentar ku do të diskutojmë dhe më pas e marrim vendimin”, ka deklaruar Abrashi për Reporteri.net.

    Sami Kurteshi ka deklaruar se nuk është në dijeni që seancën e nesërme në pikë të rendit të ditës është edhe themelimi i Tribunalit.

    “As nuk qenkam i informum, prej juve po ndëgjoj. Nuk ka ndonjë qëndrim nga grupi jonë”, ka deklaruar Kurteshi për Reporteri.net.

    Salih Salihu deputet i PSD-së, thotë se është personalisht është pro votimit të Tribunalit por se nesër pak para seancën partia do të japë qëndrimin final.

    “Nesër në ora 09:00 kemi një takim grupi ynë parlamentar dhe aty vendoset si do të veprojnë. Personalisht mendoj se si parti duhet me përkrahë dhe nuk duhet me i ndalë proceset, por partia e merr në fund vendimin përfundimtar”, ka deklaruar Salihu për Reporteri.net.

    Kujtojmë se më 20 maj u mbajt seanca pë Tribunalin por nuk u arrit një marrëveshje për themelimin e tij pasi dy partitë kryesore LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje braktisën seancën plenare.

    Deputetët e dy partive opozitare thanë se kjo është “një tallje me qytetarët, pasi që një tribunal i tillë mund të krijohet vetëm nga Kombet e Bashkuara”.

    Ndryshe Kuvendi nesër do të mbajë seancë plenare në ora 10:00. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!