×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Sveçla në Francë për vizitë zyrtare

    Reporteri
    21 Qershor 2021 | 15:47

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron sot në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku u takua me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Ambasadorin Frédéric Mondoloni.


    Me këtë rast, Sveçla e falënderoi Mondolonin, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

    Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

    Padyshim se theks të veçantë i’u kushtua edhe rëndësisë së liberalizimit të vizave, duke ritheksuar kërkesën që qytetarët e Kosovës të mos mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në ballkan.

    Ndërsa Ambasadori Frédéric Mondoloni, rikonfirmoi vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!