×
  • Lajme
  • Lajme

    Enver Hoxhaj thotë se PDK-ja do ta rigjejë rrugën deri te besimi qytetar, por nuk tregon nëse do të kandidojë për kryetar

    Reporteri
    21 Qershor 2021 | 22:13

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë.


    Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se PDK e ka për obligim dhe detyrë ndaj partisë dhe aktivistëve, ndaj qytetarëve dhe shtetit, që t’i japin fund status-quos dhe të hapin debatin e brendshëm për rrugën përpara.

    Ai nuk tregon nëse do të kandidojë për kryetar të PDK-së, por thotë se kjo parti do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

    Postimi i tij i plotë:

    Të dashur anëtarë të PDK-së,

    Pas një debati të gjatë në të gjitha nivelet e partisë, sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik.

    Mohimi i padrejtë që PDK të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, solli një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë.

    Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.

    Prandaj, si partia më e madhe opozitare në vend, partia më e rëndësishme në Kosovë në 21 vitet e fundit, parti e dalë nga lufta për çlirim dhe e cila luajti rolin kryesor në pavarësimin e vendit, e kemi për obligim dhe detyrë ndaj partisë dhe aktivistëve, ndaj qytetarëve dhe shtetit, që t’i japim fund status-quos dhe të hapim debatin e brendshëm për rrugën përpara.

    Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar dhe krahas saj duhet që të ndryshojë edhe PDK-ja, pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi.

    Duke u ndjerë dhe sjellë me krenari për të kaluarën tonë të lavdishme politike e shtetndërtuese dhe për punën e themeluesve e kryetarëve të saj, miqve të mi me të cilët kemi rrugëtuar bashkë në këto 30 vitet e fundit, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

    Faleminderit! Na priftë e mbara!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!