Një person është gjetur i vdekur dje në mesditë në një motel në Prizren.
Lajmin është bërë i ditur në raportin ditor të policisë së Kosovës për 24 orët e fundit.
Siç thuhet në raport, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Në vendngjarje kanë dalë edhe prokurori kujdestar dhe njësitet e hetuesisë, si dhe forenzika. Trupi i pajetë, me vendim të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet tutje në raport.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka mësuar nga burimet brenda Policisë së Prizrenit se personi që ka vdekur është i moshës 64-vjeçare nga qyteti i Prizrenit.
Sipas burimeve 64-vjeçari para se të gjendet i vdekur, ishte me një vajzë në motel.
Por pse po vdesin të moshuarit në motele?
Seksologu Hajrullah Fejza ka treguar se çfarë po ndikon që këta persona të humbin jetën.
“Marrëdhëniet seksuale përveç kënaqësisë janë edhe aktivitet fizik në shumicën e rasteve edhe sforcim i tepërt fizik. Vdekjet në këto raste ndodhin për shumë arsye: si pasojë e sforcimit të tepërt fizik, si pasojë e marrjes së barnave pa përshkrim nga mjeku dhe pa udhëzim nga farmacisti apo si pasojë e gjendjeve tjera shëndetësore”, ka thënë ai për Gazetën Infokus.
Fejza thotë se raste të tilla parandalohen nëse konsultohen paraprakisht me mjekët.
“Seksi nuk njeh moshë, nuk duhet ndalur askujt pa marrë parasysh sa vjet është. Një parandalim i vdekjes si pasojë e konsumimit të barnave mund të bëhet nga mjekët dhe farmacistët e që për fat të keq nuk po ndodhë. Mjeku rrallë ose fare nuk e pyet pacientin për aktivitetin seksual dhe si rrjedhojë pacienti kërkon vet dhe merr barna në farmaci pa asnjë udhëzim apo rekomandim. Ka raste kur gjendja shëndetësore e pacientit nuk lejon marrjen e barnave të tilla”, ka deklaruar ai.
Seksologu kosovar shton se duhet një edukim i mjekëve dhe farmacistëve në kuptim të këshillimit me pacientë lidhur me shëndetin seksual dhe nevojat seksuale.