×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vetoja e Bullgarisë bllokon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

    Reporteri
    22 Qershor 2021 | 19:51

    Sekretarja e Përgjithshme për Aferat Europiane, Ana Paula Zacarias ka deklaruar edhe zyrtarisht atë që u raportua përgjatë ditës së sotme se për shkak të veto-s së vendosur nga Bullgaria për çështjen e gjuhës maqedonase nuk është arritur akordi për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


    Zacarias ka njoftuar se Ministrat e Jashtëm të BE nuk kanë rënë dakord për një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe për pasojë vendimi do të shtyhet për në mbledhjen e ardhshme të kryediplomatëve europianë në muajin dhjetor.

    Kujtojmë se për çeljen e negociatave duhet miratimi i të gjithë instancave të larta të BE dhe në kushtet që Parlamenti dhe Komisioni Europian prej disa vitesh tashmë konfirmojnë Shqipërinë, problemi qëndron gjithnjë në dinamikat politike dhe bllokimit të procesit në Këshill. Disa herë kanë qenë shtetet skeptike për procesin e zgjerimit si Franca dhe Holanda që bllokonin procesin, por me implementimin e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut edhe këto vende kanë dhënë “dritën jeshile”. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar teksa një tjetër “ngërç” ballkanik ka lënë përsëri Ballkanin Perëndimor në korridorin e pritjes.

    Përgjatë turit të tij në rajon se Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka propozuar që në rast bllokimi të Shkupit, Tirana të lejohet të avancojë procesin e vetme, por Brukseli duket se ka vendosur që integrimi të jetë i njehësuar në rajon për të shmangur lënien e vendeve pas të tjerave që mund të krijonte pakënaqësi dhe t’i drejtonte drejt fuqive të tjera gjeopolitike si Rusia apo edhe Kina.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!