×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga Komuna e Budvës deklarohen për padinë e bërë nga Kosova

    Reporteri
    24 Qershor 2021 | 9:17

    Një pronë në bregdetin Adriatik, me mbi 4.5 mijë metra katrorë, është bërë mollë sherri ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.


    Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf beach properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës.

    Sekretari i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës në Komunën e Budvës, Nikolla Pllamenac, thotë se përmes padisë, kërkohet të përcaktohet se Kosova është pronare e asaj prone.

    “Si provë, ata kanë propozuar një marrëveshje për shitblerje nga vitet 1960 në Kotor, me të cilën [prona] është blerë nga Këshilli për Çështjet Sociale, Politike dhe Komunale i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thotë Pllamenac.

    Në Gjykatën Themelore në Kotor, thonë se Padia e Republikës së Kosovës, e bërë nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Avokatit të Përgjithshëm, është ngritur në Gjykatën Themelore në Kotor në fillim të nëntorit të vitit 2020, ndërsa palët janë dërguar në takimin e parë me ndërmjetësuesin në fund të prillit.

    “Më 4 qershor, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve i ka kthyer gjykatës dosjet e lëndës, pasi ndërmjetësimi ka dështuar. Në periudhën e ardhshme, gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin”, ka thënë zëdhënësi i gjykatës, Spiro Paviqeviq.

    Komuna e Budvës thotë se procesi gjyqësor është në fazën fillestare.

    “Rasti është fare në fillim. Është ajo koha kur ngrihet padia, pastaj palët e paditura i përgjigjen padisë dhe gjykata vendos nëse do të hyjë ose jo në procedurë për vendimmarrje. Ne në fillim kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë. Nëse vjen deri te kjo, atëherë thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Nëse vazhdon, atëherë fillon procedura gjyqësore, seancat dëgjimore, ekspertizat e çka mos”, thotë Pllamenac.

    Sipas të dhënave të AKP-së, prona të kombinatit metalurgjik “Trepça” gjenden edhe në territorin e Serbisë.

    Ish-pushimorja e fëmijëve në parcelën e diskutueshme është quajtur më herët “Ganimete Tërbeshi”, ndërsa më pas “Lahor” – sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër, selia e së cilës, pas vitit 1999, është zhvendosur nga Prishtina në Mal të Zi.

    Më pas, ndërmarrja është privatizuar dhe shitur, ndërsa ndërtesa e pushimores është shembur.

    Tani, në këtë vend është duke u ndërtuar një ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa pronar i saj është firma “Sunraf beach properties d.o.o.”, e cila pronën e paluajtshme e ka blerë në vitin 2017, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati i firmës, Millan Vujosheviq.

    “Pasuria e paluajtshme është blerë të një oferte publike, gjatë procesit të shitjes së aseteve të ‘Nivel Invest’ – në falimentim, dhe oferta e ‘Sunraf beach properties’ është vlerësuar si më e pranueshme, në përputhje me dispozitat e Ligjit të falimentimit”, thotë Vujosheviq.

    Sipas tij, ndërmarrja blerëse u ka besuar të dhënave zyrtare shtetërore dhe ligjërisht ka blerë pasuritë e paluajtshme, me pëlqimin e shtetit, përkatësisht të Gjykatës Komerciale.

    “Andaj, është e qartë se në këtë proces gjyqësor, ‘Sunraf beach properties’ nuk mund të ketë asnjë pasojë, kur bëhet fjalë për pronësinë e fituar”, beson Vujosheviq.

    Si e paditur, Komuna e Budvës ka kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë padinë e Kosovës si të parregullt, sepse, siç thotë Pllamenac, provat e bashkëngjitura nuk mund të çojnë në një konstatim, në lidhje me ligjshmërinë e paditësit sa i përket parcelave të diskutueshme.

    “Në padinë e tyre, ata i janë referuar Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ne jemi thirrur në atë rezolutë, në UNMIK dhe në Rregulloren për kompetencat e administratës së përkohshme në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Sipas mendimit tonë, këto rregullore nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, sidomos në rrethanat kur lënda ka të bëjë me disa përvetësime ose me ushtrimin e së drejtës në patundshmëri. Në këto raste, çështja drejtohet nga ligji i vendit ku ndodhet”, thotë Pllamenac.

    Padia e Kosovës është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesja e shtetit të Malit të Zi që merret me mbrojtjen e të drejtave të pronës, Bojana Qiroviq.

    Ajo është e mendimit se nuk duhet komentuar procedurat që janë në zhvillim dhe as provat që do të jenë subjekt i vlerësimit të lirë të gjykatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!