Ish-kryetari i Bashkisë së New York-ut dhe avokati personal i ish-presidentit amerikan Donald Trump është ndaluar që të ushtrojë profesionin e tij në shtetin e New York për shkak se Komisioni i Etikës Juridike në këtë shtet e gjeti në shkelje të normave profesionale, teksa për disa muaj me radhë ka shpërndarë informacione të rreme në lidhje me zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar.
Sipas Komisionit në fjalë, Guliani qëllimisht “bënte deklarata të rreme dhe çorientuese” që pretendonin se kishte një konspiracion të shërbimeve sekrete amerikane për t’i bjedhur zgjedhjet Donald Trump dhe për t’i dhënë fitoren “në tavolinë” Joe Biden. Ai është shpallur fajtor për shkelje të etikës së juristit dhe vështirë se 77-vjeçari do të ketë mundësi më që të ushtrojë profesionin që fillimisht i dha famë.
Kujtojmë se Guliani ishte në mediat amerikane thuajse çdo ditë përgjatë muajit nëntor dhe dhjetor me pretendime se votat veçanërisht ato të dërguara me postë ishin manipuluar nga demokratët dhe se në disa qendra votimi kishte pasur abuzime masive. Provat e Gulianit u rrëzuan nga të gjitha gjykatat, por retorika e tij frymëzoi një pjesë të republikanëve për të kryer akte të rrezikshme që kulminuan me sulmin në Kapitol në 6 janar, ku mijëra konservatorë të bindur se sistemi dhe “deep state” kishin vjedhur zgjedhjet sulmuan mbi Kongresin amerikan.
Ende nuk dihet nëse vendimi i Komisionit do të ndiqet edhe nga një kallëzim penal kundër Gulianit, diçka që është paralajmëruar nga disa eksponentë të partisë Demokratike amerikane.