Në një libër të ri të shkruar nga gazetari Michael Bender i “Wall Street Journal” që pritet të publikohet në gusht, janë publikuar disa nga komentet e bëra nga ish-presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me protestuesit e “Black Lives Matter” që u shtuan masivisht pas vrasjes së George Flloyd nga policia në Minneapolis.
Sipas dëshmisë të dhënë për autorin nga gjenerali Mark Milley që këshillonte Trump për çështjet e sigurisë në atë kohë, ish-presidenti ka kërkuar që “t’u thyhet koka dhe të rrahen si qen” protestuesit, të cilët përgjatë verës së kaluar shkaktuar dëme shumë të mëdha në prona dhe në njerëz në një valë masive manifestimesh të dhunshme që filluan në qytetin e Minneapolis-it dhe u përhapën në të gjithe SHBA-të.
Sipas burimeve të gazetarit të WSJ, Trump raportohet të ketë thënë në një takim me këshilltarët e sigurisë së tij, “e përse nuk i qëlloni të gjithë të shpëtojmë?”.
Sipas një raportimi të CNN, Trump duke parë disa filmime të forcave të rendit që shpërndanin protestën me dhunë ka komentuar: “Ja kështu bëhet kjo punë. Hapjauni kafkat”.
Më tej, kur Trump u ndesh me reagimin negativ të këshilltarëve të tij në lidhje me këtë koment, besohet të ketë shtuar: “Epo doja të thoja qëllojini në këmbë ose diku që nuk do të vdesin. Por, sidoqoftë duhet të jeni të egër me të”.
Kujtojmë se përgjatë verës së kaluar, Trump kërcënoi në mënyrë të përsëritur që të hiqte autonominë e gardave të çdo shteti dhe të merrte vetë drejtimin për forcat e rendit që të sigurohej se aktet e dhunës, vjedhjet dhe zjarrvënia në shenjë proteste nuk do të toleroheshin. Por, për shkak se ishte vetëm pak muaj përpara një përballjeje presidenciale, këshilltarët e tij e bindën që të mos e kryente këtë veprim që mund ta bënte të dukej një lider autoritar dhe bullues.