×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: NPB-ja po tenton të tjetërsojë pronën komunale kundërligjshëm

    Reporteri
    26 Qershor 2021 | 12:05

    Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka thënë se Ndërmarrja Publike Banesore po tenton të tjetërsojë një pronë të rëndësishme komunale, me procedura të jashtëligjshme.


    Egzon Azemi, këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë gjatë një konference për media të shtunën, se kjo ndërmarrje, përmes bordit të drejtorëve dhe kryeshefit ekzekutiv, po tenton që ta japë parcelën komunale për ndërtuesit e komplekseve banesore dhe nga ajo pronë komunës t’i mbetet vetëm 30% e pronës.

    Bëhet fjalë për pronën që gjendet në lagjen Lakrishtë, ngjitur me rretherrotullimin në hyrje të kësaj lagje, që e lidh kryeqytetin me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Fushë Kosovë.

    “Punëtorët e ndërmarrjes i kanë larguar nga objekti në fjalë që gjendet afër gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe pikërisht aty po tentohet të fillojë ndërtimi. Vetëm tre persona po tentojnë tjetërsimin e pronës së përbashkët të qytetarëve. Kjo thirrje për operatorët ekonomik vlente vetëm për dy ditë, prej datës 10-12 mars 2021 ndërsa afati për pajisje me dosjen e tenderit ka qenë vetëm një ditë, konkretisht me 17 mars të vitit 2021. Me shume gjasë operatori ekonomik ka qenë i përzgjedhur para se te hapet thirrja. Fakti tjetër që dëshmon se kompania me shumë gjasë ka qenë e përzgjedhur paraprakisht, tregon përmbajtja e kësaj thirrje që nuk vendoset asnjë kriter, as termat e referencës e as kushtet e ndërtimit”, ka thënë Azemi.

    Sipas tij, për këtë proces nuk ka as vulë e as numër protokolli, dhe se kjo dëshmon se ky është një tentim i aksionarëve që në fund të mandatit të marrin çka të mundin.

    “Pozicioni i kësaj parcele është jashtëzakonisht i favorshëm dhe jorastësisht po tentohet të tjetërsohet në fund të mandatit. Edhe sipas ligjit për Pronat e Ndërmarrjes Publike dhe për Pronat e Komunës vendos Kuvendi Komunal e jo aksionarët në këtë rast”, ka thënë ai.

    Azemi ka ftuar organet e Prokurorisë dhe të Policisë së Krimeve Ekonomike që të nisin sa më shpejt hetimet për këtë rast.

    Ai ka shtuar se rast i ngjashëm pati ndodhur edhe dy vjet më parë, kur ishte tentuar të rrënohej objekti i ish-shkollës Teknike, tash gjimnazi “Ahmet Gashi”, me arsyetimin se nuk i përmbush kushtet për tu zhvilluar mësimi.

    “Dy vite më parë ky pushtet tentoi ta rrënonte objektin e ish-shkollës Teknike, tash gjimnazi “Ahmet Gashi” me pretekstin se ky objekt nuk i plotëson kushtet për tu zhvilluar mësimi. Pas protestave të nxënësve dhe profesorëve, të cilat i mbështetëm edhe në, u kërkuam që të bëhet një analizë e këtij objekti, doli që ky objekt i plotëson të gjitha kushtet dhe nuk ka nevojë të rrënohet. Qëllimi ishte që të ndërtohet një qendër tregtare dhe një park. Mirëpo fatmirësisht ky tentim iu dështoi”, ka thënë Azemi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!