×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Kurti: Jemi të vendosur ta luftojmë krimin dhe korrupsionin

    Reporteri
    26 Qershor 2021 | 18:43

    Kryeministri Albin Kurti, ka komentuar vendimet e djeshme të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se janë të vendosur për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Ai gjithashtu thotë se çdo shtetas i huaj që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut ose ka kryer ndonjë vepër korruptive, nuk do të mund të udhëtojë më në Kosovë dhe do t’iu ngrihen të gjitha asetet e tyre që iu gjinden në vendin tonë.


    Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se si qeveri janë të vendosur për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit.

    “Më 13 prill e miratuam koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikusheme, e tani Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit, do të merret me identifikimin e rreziqeve institucionale që e lehtësojnë korrupsionin dhe rekomandon masa për parandalimin e tij”, ka shkruar ai në Facebook.

    Duke folur për sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Kurti ka thënë se “Çdo shtetas i huaj që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut ose ka kryer ndonjë vepër korruptive, me votën e djeshme në Qeveri, nuk do të mund të udhëtojë më në Kosovë dhe do të ju ngrihen të gjitha asetet e tyre që ju gjinden këtu”.

    Postimi i plotë i Kurtit:

    “Vendimet nga mbledhja e djeshme e Qeverisë

    Buxheti: 2 miliardë e 516 milionë euro

    – Performanca më e mirë e të hyrave sesa që ishte planikuar, ndikoi në përmirësimin e pothuajse të gjithë indikatorëve. Prandaj, këto të hyra shtesë, me rishikimin e sotëm të buxhetit, do të përdoren për të mbuluar nevojat emergjente në luftimin dhe parandalimin e pandemisë, si dhe për rimëkëmbje ekonomike.

    Drejtësia

    – Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit

    Si qeveri jemi të vendosur për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Më 13 prill e miratuam koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikusheme, e tani ky Agjencion do të merret me identifikimin e rreziqeve institucionale që e lehtësojnë korrupsionin dhe rekomandon masa për parandalimin e tij.

    – Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Civile

    Gjykatat tona do të komunikojnë drejtpërdrejtë me Gjykatat ndërkombëtare dhe do të rrisin bashkëpunimin për të gjitha rastet në përgjithësi, e në veçanti për ato të çështjes civile.

    – Sanksionet e Shënjestruara Kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut

    Çdo shtetas i huaj që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut ose ka kryer ndonjë vepër korruptive, me votën e djeshme në Qeveri, nuk do të mund të udhëtojë më në Kosovë dhe do të ju ngrihen të gjitha asetet e tyre që ju gjinden këtu.

    – Me qëllim për të ndaluar financimin e akteve terroriste, vendosëm sanksione ndaj 7 shtetasve libanez të lidhur me Hezbollahun dhe ndaj 6 personave të afërt me ISIL/Da’esh dhe Al Qaeda.

    Ekonomi dhe financa

    – Tregtia me Naftë dhe Produktet e Naftës në Kosovë

    Pas një dekade, me këtë ligj përvetësojmë standardet evropiane për karburantet, thjeshtohen procedurat administrative, mbrohet konsumatori, mjedisi, konkurrenca e lirë, etj.

    – Identifikimi Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike

    Do të rregullohet mënyra e identifikimit, nënshkrimit, vulës elektronike, si dhe çertifikatave elektronike.

    – Dy borde të përkohshme të reja:

    Ndërmarrja Publike KRU “Prishtina” dhe Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenci”

    – Sistemi i Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Subjektet e Sektorit Publik

    Përmirësim në të gjitha komponentët e kontrollit të brendshëm si rezultat i trajnimit të 103 zyrtarëve përgjegjës, zhvillimit të pilot-projekteve në 20 komuna dhe kontrollit në bashkëpunim me USAID.

    Tregtia e jashtme

    – Do të nxisim zhvillimin ekonomik, rregullimin e importit e eksportit. Kësisoj do të mbrojmë industrinë vendore nga praktikat e dëmshme.

    Shëndetësia

    – Pagesa e Specializantëve

    Edhe këtë muaj specializantët do të paguhen me vendim, nga muaji tjetër është paraparë të mbulohen me rishikim të buxhetit.

    – “Programi për mbështetje Shëndetësore”

    Me Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut kemi shtuar partneritetin e bashkëpunimin për reformimin e sektorit të shëndetësisë.

    I hapëm rrugë zgjatjes së zbatimit edhe për nga 1 vit shtesë për katër projekte të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit në BE (IPA)”, ka shkruar Kurti.

    Qeveria e Republikës së Kosovës të premten ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!