Ish-përkrahësi i Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, njëherësh kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sokol Halili, në një intervistë për KALLXO.com tregon se nuk ka shfaqur asnjëherë ambicie që t’i bashkangjitet zyrtarisht Lëvizjes Vetëvendosje ose ndonjë subjekti tjetër.
Halili thotë se nuk e përkrahu nga simpatia për Kurtin, por për inati të një grupi të caktuar të cilin ai vazhdimisht i quan “marcenarë.Mirëpo, qeverisja Kurti 2 nuk po i lënë përshtypje Halilit anipse dikur loboi edhe financiarisht për këtë partinë në pushtet.
Sipas tij, kreu i ekzekutivit Albin Kurti, ka vetëm dy zgjidhje.
“Albin Kurtin nuk e kam përkrah se e simpatizoj, por për inati këtyne mercenarëve dhe kam pasur qejf që ta shoh aty ku është. Jam shumë i kënaqur kur i shoh këto shkulje e kapje të shtetit nëpër borde, drejtori etj. Nuk pres asgjë nga Albin Kurti. Ai ka veç dy rrugë: dorëheqjen ose do të futet në listën e zezë të ShBA-ve. Nuk ka qare pa e nënshkru ‘Zajednicën’ qysh e quajke ai. Ose ka mu këthy në shtëpi”, u shpreh ai.
Sokol Halili ka vendosur që garës për kryetar të Komunës së Skenderajt si i pavarur për zgjedhjet lokale që priten të mbahen më 17 tetor 2021.
Halili në intervistë më tej kishe kritikuar edhe qeverisjen aktuale në Skenderajt, atë të Bekim Jasharit dhe paraardhësit të tij, Sami Lushtakut.