Holanda e theu një rekord të zi në humbjen kundër Republikës së Çekisë 2:0, e cila i kushtoi me largim nga Euro 2020, duke dështuar ta bëjë qoftë edhe një goditje të vetme në portën kundërshtare.
Për herë të parë në një ngjarje të madhe, Euro apo Botëror, Holanda nuk arriti ta bëjë asnjë gjuajtje brenda kornizës së portës kundërshtare të dielën në disfatën kundër Çekisë, raporton Gazeta Express.
Holanda i ka zhvilluar 89 ndeshje në Kampionate Evropiane dhe Botërore në historinë e ekipit të vet kombëtar, por sot dështoi për herë të parë ta godas cakun e portës.
Holandezët i patën shtatë goditje në përgjithësi në këtë ndeshje, por të gjitha këto tentime ishin jashtë kornizës së portës.
The Netherlands has played 89 games at the EURO and World Cup combined.
Today’s game is the only one in which it failed to record a shot on target ? pic.twitter.com/GpJXUVMoY1
— ESPN FC (@ESPNFC) June 27, 2021
Ky ishte një dështim tjetër i Holandës në Euro, pasi më 2016 nuk u kualifikua fare dhe më 2012 nuk mundi ta kalojë fazën grupore.
Çekia është treguar një armik i madh i Holandës në Evropian, pasi më 2004 e mposhti 3:2 me rikthim edhe pse po humbiste 2:0 në një ndeshje të fazës grupore, para se t’ia mohonte kualifikimin në Euro 2016, duke e mposhtur në dy ndeshje kualifikuese.
Pjesa e parë ishte e qetë, pasi të dy ekipet nuk rrezikuan aspak dhe nuk krijuan raste shënimi.
Fillimi i pjesës së dytë e shënoi edhe pikën e kthesës në këtë takim.
Donyell Malen i iku mbrojtjes çeke dhe u vu përballë portierit Tomas Vaclik, i cili ia mori topin duke mos e lejuar ta kryejë driblimin dhe të shënojë në minutën e 52-të.
Malen mund të jetë duke e mbajtur kokën tani për lëshimin e këtij rasti, sepse pas këtij rasti të rrallë, Çekia doli në sulm dhe fitoi goditje dënimi e cila i kushtoi mbrojtësit Matthijs de Ligt me përjashtim nga loja direkt me karton të kuq.
Gjyqtari Sergey Karasev e ndëshkoi vetëm me karton të verdhë mbrojtësin e Juventusit, para se të këshillohej nga dhoma e VAR-it për ta rishikuar incidentin.
Sergey e ndryshoi mendjen pasi e rishikoi incidentin dhe e përjashtoi nga loja De Ligtin.
Kjo i dha përparësi të madhe ekipit çek, i cili e shfrytëzoi çdo mundësi në vazhdim.
Nuk vonoi shumë dhe Moles e theu akullin duke shënuar me kokë pas një rivënie nga këndi në minutën e 68-të, për ta kaluar Çekinë në epërsi. Dhjetë minuta para fund Schick e fundosi Holandën duke e dyfishuar epërsinë.
Ai e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një depërtimi dhe asistimi të shkëlqyer të Holes, që i shfrytëzoi hapësirat e mëdha në mbrojtjen holandeze.
Çekia do të përballet me Danimarkën më 3 korrik në Baku në çerekfinalen e dytë në Euro 2020./Gazeta Express/