×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja Gërvalla takon ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, flasin për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve

    Reporteri
    30 Qershor 2021 | 12:08

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës së saj në Luksemburg ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut, Jean Asselborn.


    Gjatë darkës së punës, të shtruar nga kryediplomati i Luksemburgut, homologët biseduan rreth një game të gjerë temash bilaterale por edhe çështje evropiane, njofton MPJD.

    Pas takimit, Ministrja Gërvalla deklaroi se është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

    “Luksemburgu vazhdon të mbështesë udhëtimin pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës në zonën Shengen. Luksemburgu qartazi e konsideron marrëdhënien me Kosovën si një partneritet të vërtetë”, ka thënë ajo.

    Ministrat diskutuan në detaje për shumë fusha të bashkëpunimit siç janë: bashkëpunimi i ngushtë ekonomik, sferat e arsimit, shëndetësisë, sigurisë, kulturës si dhe perspektivën evropian sidomos të të rinjve. Ministrja Gërvalla tërhoqi vëmendjen rreth zhvillimeve në rajon dhe sfidave të lidhura me këto procese.

    Ministrja Gërvalla falënderoi homologun e saj gjithashtu për mbështetjen e Luksemburgut gjatë pandemisë.

    Në fund ministrja Gërvalla ftoi ministrin Asselborn për të vizituar Kosovën, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.​

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!