Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ka deklaruar se ajo që e dallon atë nga pretendentët e partive tjera është fakti se ai nuk do i përgjigjet askujt pos qytetarit të Prishtinës.
“Absolutisht askujt tjetër. Vetëm qytetarit të Prishtinës. Kjo është jetike. Nuk mundet askush të më thërrasë në telefon p.sh. vetëm pse është kryetari im e të më thotë diçka si ‘bëje një punë se është në interes të partisë ose të atij e këtij’. Nuk mendoj që të tjerët e kanë këtë mundësi sepse janë të deleguar. Unë jam kryetar i degës së PDK-së për këtu, dhe e kam autoritetin e plotë mbi qeverisjen lokale”, tha ai.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai kritikoi Shpend Ahmetin për faktin që i ka emëruar në krye të drejtorive të komunës Sali Zybën e Arbërie Nagavcin, duke thënë se votën ia kanë dhënë prishtinasit, ndërsa ai ka punësuar qytetarë të qyteteve tjera.
“Ka bërë gabim. Duhet të ketë transparencë në qeverisje komunale. Ky është dallimi im me kandidatët tjerë. Unë do i paraqes qytetarët e Prishtinës që do të jenë drejtorë. Parimi im i parë është që nuk do ta bëj arenë të betejave e as të matematikave politike”.
“Nuk do të avancoj interesat politike e partiake mbi interesat e qytetarit të Prishtinës, e as të bizneseve mbi interesat e Komunës së Prishtinës”.
“E di që është e vështirë, por unë besoj në Prishtinën më shumë se sa në vështirësitë që i ka Prishtina”.
“Cili nga ne kandidatët do të vazhdojë të jetojë ende në Prishtinë dhe ta ngrijë zërin edhe nëse nuk e fiton garën? Nëse e sheh politiken si një ngritje të mundshme të karrierës momentale dhe jo si një pasion për të krijuar një vlerë të re në qytetin ku jeton, atëherë unë nuk besoj në atë politikë”.
“Edhe nëse do humbi, do vazhdoj të jetojë në lagjen Bregu i Diellit, vazhdoj t’i kem problemet e njëjta si qytetar i Prishtinës dhe mund të premtoj që do vazhdoj të merrem me to deri sa ta shohim një Prishtinë që duam ta shohim”.
Ismaili po ashtu u shpreh se vizioni i tij është që ta bëjë Prishtinën qytet të jetueshëm, të gjelbër dhe nyjë digjitale jo veç e Kosovës.
“Qyteti duhet ta ketë një identitet të vetin. Ta ketë një transport publik që e qetëson qytetin. Të kuptoje administrata e shtetit që Prishtina nuk duhet ta mbajë barrën e krejt administratës shtetërore të Kosovës”.
“Me një popullatë kaq të re mund ta kthejmë qytetin në një nyje të teknologjisë në gjithë rajonin. Sot kompanitë kryesore IT-së ndodhen në Prishtinë”.
“Qyteti duhet së pari të jetë për neve që jetojmë këtu. Gara ime është garë për jetën në Prishtinë, garë për të na e mundësuar që ta qetësojmë qytetin tonë, të jetë atraktiv për t’u jetuar në lagje të tij”.