Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka uruar Memli Krasniqin për pozitën e kryetarit të ri të PDK-së.
Lushtaku ka postuar një fotografi me Memli Krasniqin dhe Vlora Çitakun, ku ka shkruar se Krasniqi është një frymë e re për të cilën PDK-ja ka shumë nevojë.
“Memli Krasniqi është shëmbulli i një të riu të përgatitur dhe ambicioz, i cili me angazhimet e tij që nga aktivisti i rinisë e deri tek organet udhëheqëse të partisë, ka dëshmuar se përgatitja profesionale, puna dhe përkushtimi në aktivitetin politik janë dëshmi e arritjeve të mëdha. Ai nga sot është kryetar i zgjedhur i PDK-së. Memlit ja uroj pozitën e re në krye të PDK-së, duke i dëshiruar punë të mbarë e suksese në misionin e tij për rikthimin e PDK-së si lidere e pluralizmit politik dhe udhëheqëse e shtetit të Kosovës. Ai është një frymë dhe energji e re për të cilën ka shumë nevojë PDK por edhe e gjithë Kosova”, ka shkruar Lushtaku.
Ndryshe, Memli Krasniqi është zgjedhur sot kryetar i PDK-së.
Krasniqi ishte i vetmi nga PDK-ja i cili kishte shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së.
Para delegatëve, Krasniqi ka thënë se PDK-ja si parti kurrë nuk ka qenë më e goditur se sot, derisa është zotuar se do të punojë për ta rikthyer këtë parti në vendin e parë.
Ai do të udhëheqë partinë për dy vjet, pasi dy vjetët e para të mandatit të kryetarit i ka kryer Kadri Veseli.