Ish-ushtruesi i detyrës së kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas Konventës së Dhjetë zgjedhore të partisë, ku kryetar u zgjodh Memli Krasniqi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zgjedhja e Krasniqit në krye të PDK-së është një nevojë dhe një domosdoshmëri, shkruan Reporteri.net.
“Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare.”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai po ashtu ka përmendur edhe mungesën e liderëve historik të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por përkundër kësaj, sipas tij partia ka treguar një tjetër pjekuri politike sot.
“Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historik Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por kemi debatuar e vepruar me shikimin nga e ardhmja.”, ka thënë ai.
Ky është postimi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës tregoi një tjetër pjekuri politike sot. Ajo demonstroi fuqi, vetëdije dhe vendimmarje në kohën dhe momentin e duhur. Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historik Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por kemi debatuar e vepruar me shikimin nga e ardhmja.
Zgjedhja e mikut e bashkëpunëtorit tim, Memli Krasniqi në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri. Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare. Rrugëtimi i përbashkët në fitore e beteja të mëdha politike për shtetin e Kosovës, na bën të përgjegjshëm për të ndjekur me krenari rrugëtimin historik të liderëve tanë. Na priftë e mbara në këtë etapë të re.
Urime Memli. Urime PDK ?