Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në se secili person që ka kryer dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të vihet para drejtësisë.
Krasniqi ka komentuar lajmin e dënimit me 10 vjet burg të Zoran Vukotiq, i cili u dënua nga Gjykata themelore në Prishtinë për dhunimin seksual të një vajze shqiptare në Vushtrri.
Ai thotë se drejtësia nuk duhet të ndalet vetëm me këtë rast, por duhet t’i shkohet deri në fund kësaj çështje.
Postimi i tij:
Nuk mund të ketë drejtësi të plotë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pa u vënë para përgjegjësisë secili person përgjegjës për këto dhunime.
Ndonëse për 23 vite, kriminelët e tillë janë fshehur e janë mbajtur të pakapshëm, sot, drejtësia kosovare i shpërtheu barrierat duke arritur ta ballafaqojë me përgjegjësi njërin prej tyre. Por Zoran Vukotiqi nuk është i vetëm. Është thjeshtë i pari.
Përderisa duhet të angazhohemi që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të gjejnë integrimin e plotë në mesin tonë, duhet po ashtu të inkurajojmë organet tona të drejtësisë që të mos ndalen, deri sa të japë përgjegjësi edhe krimineli i fundit.