Dikur thurte lavdata për LDK-në sa ishte pjesë e kësaj partie, por tani të njejtën e bën për kryeministrin Ramush Haradinaj në të cilën parti tashmë ushtron aktivitetin politik. Fjala është për Fiknete Bejta që për një kohë ishte zëdhënëse e LDK-së dhe asambliste e kësaj partie në Komunën e Prishtinës.
Bejta së fundmi përmes një statusi në Facebook ndërsa ka shkruar për punën e bërë nga qeveria aktuale, thotë se efektet e punës së Qeverisjes Haradinaj po ndjehen në jetën e përditshme të qytetarëve, shkruan Reporteri.net.
Sipas saj është e konfirmuar se në këto gjashtë muajt e fundit është shënuar rritje kur bëhet fjalë për qarkullimin e të hyrave tek aktiviteti i bizneseve dhe rritje e numrit të punësuarve.
“Rritjet janë shënuar në kohën kur Kosova po zbaton masën 100 për qind të tarifës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila sipas disa përllogaritjeve, ka ndikuar në rritjen e prodhimtarisë vendore. Në fund të muajit prill të vitit të kaluar, sipas Fondit Pensional numri i llogarive aktive ka qenë 282 mijë, ndërkaq në muajin e prill të këtij viti numri i llogarive aktive ka arritur në rreth 300 mijë, çka lë të nënkuptohet se ka një rritje prej 16 mijë kontribut-paguesve”.
“Nga të dhënat e ATK-së vërhet se prej muajit nëntor të vitit 2017 deri në muajin mars të vitit 2018, vlera e qarkullimit të industrisë prodhuese ka qenë mbi 351 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë, nga nëntori i vitit 2018 deri në mars të vitit 2019 (periudha e taksës doganore) qarkullimi është rritur në 536 milionë euro ose 35% më shumë”, ka shkruar Bejta.
Ajo thotë se “me një fjalë Kosova ka rritur edhe prodhimin vendor edhe vendet e punës”.
Kujtojmë se Bejta në nëtor të vitit të kaluar kur braktisi LDK-në për AAK-në tha se këtë lëvizje e ka bërë për shkak të pikëpamjeve të përbashkëta me partinë e Ramush Haradinajt, në vizionin e të cilit ka thënë se beson. Reporteri.net/.